Më 7 mars të vitit 1998, ende po zhvillohej beteja e familjes Adem Jashari, komandant legjendar i UÇK-së, kundër shumë forcave të policisë së Serbisë. Në Prishtinë, bash për këtë temë, ishte mbajtur një konferencë për media.
Në këtë konferencë, më 7 mars 1998, kishte folur edhe Xhemail Mustafa, atëbotë këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova. Për konferencën kishte raportuar Bujku me titullin “Në Drenicë po ndodh Srebrenica”.
Në artikullin e shkruar nga gazetarët tashmë veteranë Behar Zogiani dhe Evliana Berani, Mustafa, një nga emrat më të njohur të politikës së viteve 90-ta, kishte kritikuar ashpër Serbinë për këtë sulm. Sipas Mustafës, që u vra pas lufte në Prishtinën e çliruar nga zgjedha e Serbisë, regjimi serb po përpiqej që të bëjë edhe një krim pa dëshmitarë në Kosovë.
Tutje, Mustafa u apelonte gazetarëve të huaj që “të thejnë bllokadën dhe të shkojnë në rajonet e rrezikuara në mënyrë që të binden vetë për krimet që po bëhen atje ndaj popullatës së pafajshme”.
“Regjimi serb po përpiqet që të bëjë edhe një krim pa dëshmitarë në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse gazetarët nuk lejohen të shkojnë në Drenicë” – thoshte Mustafa.
Tutje, Mustafa kishte kërkuar intervenimin urgjent të ShBA-së dhe BE-së për të “ndërprerë menjëherë këto aksione të forcave serbe”.