Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka zgjedhur Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit për të përcjellë një mesazh për mediat, në të cilin, përveç urimit formal, tenton t’u japë gazetarëve mësime se si duhet të bëhet gazetaria.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se hapësira publike ka nevojë për “ndershmëri, fakte, verifikim dhe përgjegjësi”, duke e vendosur theksin te dallimi mes faktit dhe interpretimit, si dhe te rreziku që, sipas saj, vjen nga manipulimi i lajmit dhe gjysmë të vërtetat.
“Kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, ka shkruar Haxhiu.
Megjithatë, mesazhi i saj vjen në një kohë kur Kosova është kritikuar për përkeqësim të klimës së lirisë së mediave në vitet e fundit. Reporters Without Borders dhe organizata partnere kanë vlerësuar se liria e mediave në Kosovë ka qenë në rënie që nga viti 2023, për shkak të presionit politik ndaj mediave publike, zhvillimeve shqetësuese ligjore dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.
Kosova në vitin 2025 ishte renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së, ndërsa në vitin 2026 është ngritur në vendin e 84-të. Megjithatë, kjo përmirësim nuk e fshin faktin se organizatat ndërkombëtare kanë identifikuar një periudhë përkeqësimi të lirisë së mediave gjatë viteve të fundit.






