Kurti ka thënë se kjo është bërë për të mundësuar që diaspora të kalojë muajt korrik dhe gusht në Kosovë dhe jo për blerje votash apo ardhje të organizuar për të votuar.
“Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit”, ka shkruar Kurti.
Reagimi i plotë:
Subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit.
Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, ne e kemi edhe një arsye më shumë që ta bëjmë këtë. E përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit, vendimi ynë i djeshëm për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës sonë u bë i domosdoshëm.
Anulimi i fluturimeve në muajt e verës, do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund te vinin siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë.
Vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeorportet prej nga vijnë mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor.
Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit.
Mërgatë, mirë se vini!






