Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq përdor serbët lokal për interesa të pushtetit të tij.
Duke komentuar deklaratën Vuçiqit që ka kërkuar kthimin e prokurorëve serbë në institucionet e Kosovës që dikur kishin dhënë dorëheqje me urdhër të tij, Mustafi ka thënë se Serbia duhet të japë llogari për mënyrën se si e ka shkatërruar sistemin e drejtësisë në Luginën e Preshevës
Reagimi i plotë i tij:
Kur Aleksandar Vuçiq urdhëroi gjyqtarët serbë të largoheshin nga institucionet e Kosovës, Beogradi e quajti akt patriotik. Sot, po i njëjti Vuçiq kërkon rikthimin e tyre në detyrë.
Para se të kërkohet rikthimi i gjyqtarëve serbë në Kosovë, Serbia duhet të japë llogari për mënyrën se si e ka shkatërruar sistemin e drejtësisë në Luginën e Preshevës.
1 janar 2010 – Serbia, me reformën e rrjetit gjyqësor, suprimoi gjykatat në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke i centralizuar ato dhe duke ua vështirësuar qytetarëve qasjen në drejtësi.
1 janar 2014 – u rikthye vetëm Gjykata Themelore në Bujanoc, ndërsa Presheva dhe Medvegja nuk e rifituan kurrë gjykatën e tyre.
Sot, në të gjithë sistemin gjyqësor që mbulon Luginën e Preshevës ka vetëm:
7 gjyqtarë shqiptarë nga 216 gjithsej (3.2%).
0 prokurorë shqiptarë në prokuroritë kryesore që mbulojnë rajonin.
Në Prokurorinë e Lartë në Vranjë janë 35 pozita, ndërsa vetëm 1 prokuror shqiptar, i cili është në prag pensionimi. E Gjykata e Lartë në Vranjë asnjë shqiptar. Rrethi i Pçinjës përbëhet me rreth 30% shqiptar, prej shtatë komunave bën pjesë Presheva dhe Bujanoci.
15 maj 2026 – Serbia shpalli konkursin më të madh për zgjedhjen e gjyqtarëve (Gazeta Zyrtare nr. 45/26), me qindra vende të reja në sistemin gjyqësor.
U pranuan mbi 200 gjykatës në Serbi.
Në Preshevë ishte e hapur një pozitë edhe ajo u plotësua me një serbe.
Në Bujanoc ishin hapur dy pozita dhe njëra u plotësua me një serb dhe një pozitë mbet e paplotësuar.
Asnjë shqiptar i zgjedhur edhe pse aplikuan.
Pra, ndërsa Beogradi kërkon rikthimin e gjyqtarëve serbë në Kosovë, prej 16 vitesh mban shqiptarët jashtë sistemit të drejtësisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Nuk mund të kërkosh standarde evropiane për serbët në Kosovë, ndërsa shqiptarëve në Serbi u mohon përfaqësimin elementar në gjykata dhe prokurori. Barazia para ligjit nuk mund të jetë selektive.






