Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh U. D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e edicionit të shtatëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë.
Në fjalën e saj kryetarja Haxhiu theksoi se bujqësia është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë sonë, sepse, siç tha ajo, çdo hektar i punuar dhe çdo prodhim që arrin te konsumatori forcon zhvillimin ekonomik të vendit.
Po ashtu, kryetarja Haxhiu vlerësoi punën e palodhshme të fermerëve, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve, të cilët me përkushtimin e tyre kanë bërë që Mamusha të njihet për cilësinë e prodhimeve të saj.
Duke u uruar fermerëve një sezon të mbarë, prodhim dhe treg të sigurt, kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se domatja e Mamushës do të vazhdojë të zërë vend në gjithnjë e më shumë tregje, duke e bërë emrin e kësaj komune edhe më të njohur për cilësinë dhe traditën e saj.
“Uroj që ky festival të vazhdojë të jetë një urë lidhëse mes prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve, duke promovuar vlerat e bujqësisë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë”, theksoi kryeparlamentarja Haxhiu.





