Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për zgjidhje institucionale dhe shmangie të tensioneve në lidhje me çështjen e Dhomave të Specializuara.
Mustafa ka kërkuar që Qeveria ta sjellë pa vonesë në Kuvend ligjin për Dhomat e Specializuara, në mënyrë që deputetët të marrin përgjegjësinë dhe të vendosin përmes mekanizmave demokratikë.
“Kosova nuk ka nevojë për tensione të reja që rëndojnë mbi qytetarët, dëmtojnë shoqërinë dhe cenojnë interesin e shtetit”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka vlerësuar se protesta dhe përplasja nuk duhet të jenë alternativa e parë, duke bërë thirrje për maturi, përgjegjësi dhe respekt për institucionet.
“Kosovës i duhet një zgjidhje që na bashkon, jo një situatë që na përçan”, ka theksuar Mustafa, duke kërkuar që vendi të dalë nga kjo gjendje “me mençuri, përgjegjësi dhe pa dëmtuar të ardhmen tonë”.






