Kandidati për deputet nga PDK-ja, Rrustem Mustafa i njohur si komandant “Remi”, ka deklaruar se partia e tij synon të sigurojë rol udhëheqës në formimin e institucioneve të ardhshme të Kosovës.
Mustafa tha se PDK-ja do të kontribuojë në funksionalizimin e institucioneve dhe në krijimin e një qeverisjeje stabile, duke theksuar pritjet për një proces të rregullt pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai u shpreh se qytetarët do të vendosin për një drejtim të ri politik, ndërsa shtoi se PDK-ja synon të jetë pjesë udhëheqëse e qeverisë së ardhshme.
Sipas tij, drejtimin e shtetit do ta marrë Bedri Hamza, ndërsa PDK-ja, siç tha ai, do të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike në Kuvend për të garantuar funksionim institucional dhe bashkëpunim korrekt në interes të vendit.
“PDK-ja do ta rrëzojë mendimin për të mosfunksionalizuar institucionet. Unë e di që qytetarët më 7 qershor do të vendosin për krijimin e institucioneve stabile për të ardhmen e vendit dhe për zhvillimet e reja. PDK-ja do të jetë në qeveri dhe do të jetë udhëheqëse, shtetin do ta udhëheq Bedri Hamza. PDK-ja do të udhëheqë me të gjithë ata njerëz që garojnë për deputetë në Parlamentin e Kosovës, me gjithë ato subjekte politike. Ne garojmë aty për Kuvendin e Kosovës dhe me të gjitha do të mundohemi të jemi korrekt dhe të jemi në bashkëpunim me ta”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.






