Analisti nga Shkupi, Albert Musliu duke komentuar rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se po të kandidonte vetëm Bujar Osmani, tani ai bazuar në numrat aktual do të ishte në raundin e dytë presidencial.
Musliu ka vlerësuar se kushdo që fiton nga shqiptarët në këto zgjedhje, e ka për obligim të avancojë disa standarde të arritura për popullatën shqiptare.
“Kishte parashikime se do të jetë rezultat i pritshëm. Sipas numrave që i kemi tash, edhe pse opozita e sulmonte Frontin Europian se e pamundësojnë garimin e kandidatëve shqiptar, numrat na tregojnë se po të kishte vetëm Fronti Europian kandidat, shqiptarët do të kishin shansin që të kalonin në raundin e dytë. Në raundin e dytë gjithsesi ata do të thirreshin edhe te votat e LSDM-së apo maqedonaseve më të moderuar të cilët ia duan orientimin evropian Maqedonisë. Po të mos kishte kandiduar kandidati i opozitës shqiptare, realisht Bujar Osmani, do të ishte në raundin e dytë presidencial tani. Shqiptarët tashmë kanë arritur një stad të bashkëqeverisjes në Maqedoni. Edhe ai që do të fitojë te pala shqiptare e ka për obligim që disa standarde të arritura për popullatën shqiptare dhe komunitetet tjera në Maqedoni vetëm të avancohen, jo të shkojnë prapa” është shprehur ai në emisionin “Info Nata” në TËVË 1.
Analisti ka folur edhe për pritshmëritë e 8 majit, ku ka theksuar se dallimi që po del në vota te pala shqiptare, do të reflektohet edhe në zgjedhjet parlamentare.
“Besoj që ky dallim që është te pala shqiptare, do të reflektohet edhe në zgjedhjet parlamentare madje, mund edhe të përforcohet. Ka qytetarë që janë më të interesuar për të votuar në raundin e dytë”, shtoi ai.
Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit. Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit. Ndërsa Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut ka numëruar deri më tash 81.06 për qind të votave ose 1 milion e 470 mijë e 669 për raundin e parë të zgjedhjeve të shtata presidenciale, ku Bujar Osmani nga Fronti Evropian ka 14.15 për qind, kurse Arben Taravari nga VLEN 9.99 për qind.