Musliu: Dikush dha urdhër për përdorimin e dhunës gjatë protestës së 5 tetorit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim për ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit, duke thënë se duhet të zbulohet se kush e dha urdhrin për ndërhyrje.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Musliu ka theksuar se nevojitet një hetim që identifikon përgjegjësit për veprimet gjatë protestës.

“Kush dhe nga ku u dha urdhri për ndërhyrje? Na duhet një hetim që evidenton përgjegjësitë”, ka deklaruar ajo.

Musliu ka thënë se askush nuk po e fajëson institucionin e Policisë së Kosovës, por ka kërkuar që të hetohen përgjegjësit për ndërhyrjen.

Ajo ka paralajmëruar se, nëse Inspektorati Policor i Kosovës  nuk e kryen detyrën e tij, duhet të krijohet një komision hetimor parlamentar, jo vetëm për ngjarjet e 5 tetorit, por edhe për mënyrën se si organet kompetente e kanë trajtuar këtë rast.

“Nëse IPK-ja nuk e kryen detyrën e tij, duhet ta krijojmë një Komision Hetimor Parlamentar, jo vetëm për 5 tetorin, por edhe për trajtimin e kësaj ngjarjeje nga organet kompetente”, ka thënë Musliu.

Ajo e ka përfunduar deklaratën duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të gjithë ata që ushtrojnë pushtetin.

“Ka ardhur koha e përgjegjësisë dhe llogaridhënies për secilin që mendon se ta kesh pushtetin do të thotë ta kesh shtetin në pronësi private”, ka deklaruar Musliu në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit