Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të veprojë me urgjencë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Musliu ka thënë se pas dërgimit të projektligjit në Kuvend, duhet të nisë menjëherë trajtimi i tij në komisionet përkatëse dhe të procedohet për lexim të parë.
Ajo ka vendosur si afat orën 12:00, duke theksuar se deri atëherë Kuvendi duhet ta ketë trajtuar ligjin në të gjitha komisionet përkatëse dhe ta ketë kaluar në lexim të parë.
“Tani duhet të fillojë numërimi mbrapsht për Kuvendin. Më së largu deri në orën 12:00, Kuvendi duhet ta trajtojë Ligjin në të gjitha komisionet përkatëse dhe ta kalojë në lexim të parë”, ka shkruar Musliu.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar që të mos ketë, siç është shprehur ajo, zvarritje, arsyetime apo kalkulime politike.
“Nuk ka më kohë për zvarritje, arsyetime apo kalkulime politike. Deri në orën 12:00 duhet të dihet nëse Kuvendi do ta kryejë përgjegjësinë e tij apo do ta mbajë peng këtë proces”, ka deklaruar ajo.






