Avokati Skënder Musa ka deklaruar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë pasur mbrojtje institucionale shtetërore gjatë gjithë procesit gjyqësor në Hagë.
Në transmetimin special të Klan Kosovës, kushtuar aktgjykimit të Speciales, Musa ka thënë se e gjithë mbrojtja e katërshes së UÇK-së është lënë në duart e avokatëve.
Ai ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke marrë si shembull praktikën e suksesshme në Tribunalin Ndërkombëtar të Kroacisë.
“Situata ndryshon sa i përket Kroacisë. Ata kanë punu si shtet, si shoqëri. Ndëkraq, në Kosovë nuk ka ekzistuar fare. Mbrojtja institucionale shtetërore ka qenë shumë declarative edhe shumë e lodhtë. Lobimet, ndihmat e përgatitjet që i kanë bërë kroatët, kanë arritur me e thy një vendim të gjykatës së parë dhe ai të përmbyset në Apel. Kroacia e ka dhënë provimin kombëtar. Unë besoj se verdikti do të ishte ndryshe. Fati i katërshes së UÇK-së ka mbetur vetëm në duart e avokatëve, mirëpo nuk kanë pas mbrojtje institucionale.”, ka thënë Musa.
Ai ka thënë se për momentin nuk mund të kritikohet as mbrojtja e të akuzuarve, por sipas tij, duhet parë që për apelimin e vendimit, ekipet të kenë edhe ekspertë të tjerë, jo vetëm avokat.
“Tash për tash nuk isha lëshuar në kritika për mbrojtjen. Mirëpo, natyrisht që duhet përforcohet mbrojtja me ekip të përshtatshëm dhe me persona të ndryshëm. Ekipet e avokatëve mbrojtës, është paraparë që të ketë edhe ekipe të ekspertëve mjekoligjor dhe të kriminalistikës.”, ka thënë ai.






