Ehat Miftaraj nga IKD, ka folur për mundësinë e shfuqizimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës pas vendimit të sotëm në Hagë.
Miftaraj tha se për ndryshimin përkatës kushtetues dhe shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara nevojiten 80 vota të deputetëve.
“Duhet 80 vota të deputetëve. Drafti për shfuqizim është i gatshëm prej herës së kaluar. Nëse ka vullnet politik, nëse partia që është në pushtet, VV-ja, ka vullnet, mundet me fillu si procedurë. Nevojiten 80 vota për shfuqizimin e amendamentit kushtetues dhe shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Miftaraj në emisionin Click në RTV21.
Ai theksoi se, përveç sigurimit të votave në Kuvend, ekzistojnë edhe pengesa të tjera që lidhen me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Pastaj kemi disa pengesa të tjera, sepse ne kemi një marrëveshje me Holandën, marrëveshje e ratifikuar mes Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, pastaj zotimet ndërkombëtare”, tha Miftaraj.
Sipas tij, mbetet e paqartë nëse do të ketë vullnet politik nga politika.






