Muriqi nuk shënon, Mallorca barazon

- Advertisement -

Mallorca dhe Valencia vazhdojnë të mbeten të përfshira në luftën për mbijetesë në La Liga, pas barazimit 1:1 në një ndeshje që nuk i ndihmoi asnjërës skuadër në renditje.

Loja nisi më mirë për Mallorcën, e cila krijoi disa raste të rrezikshme me Vedat Muriqin dhe Sergi Darderin, ndërsa Takuma Asano ishte gjithashtu pranë golit në pjesën e parë.

Megjithatë, portieri Stole Dimitrievski ishte vendimtar për Valencian, duke bërë disa pritje të rëndësishme që e mbajtën ekipin në lojë.

Skuadra e Vedat Muriqit, arriti të kalojë në avantazh në fillimin e pjesës së dytë me golin e Samú Costas, por nuk arriti ta menaxhojë rezultatin deri në fund.

Valencia reagoi dhe riktheu baraspeshën në minutën e 67-të, kur Umar Sadiq shënoi me kokë pas një krosimi të Javi Guerra dhe asistit të Luis Rioja.

Pas këtij barazimi, Valencia qëndron në vendin e 13-të, por ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Mallorca ndodhet vetëm një pikë pas saj dhe tre pikë mbi zonën e rënies, me gjashtë javë të mbetura deri në fund të sezonit 2025/26.

Të dy ekipet pritet të përballen me presion të madh në ndeshjet e mbetura, ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll.

Sulmuesi i kombëtarës së Kosovës, Vedat Muriqi, luajti për 90 minuta dhe u vlerësua me notën 7.3 nga “Flashscore”.

Ai ka shënuar 21 gola në 31 ndeshje këtë sezon në La Liga, duke u renditur menjëherë pas Kylian Mbappé, i cili ka 23 gola.

Të ngjashme

Të fundit