Afati për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt fundit.
Partive politike u ka mbetur vetëm edhe një javë kohë, ndërsa deri më tani të gjitha diskutimet për këtë temë kanë dështuar.
“Ne duhet që ta kemi presidentin e ri deri më datën 28 të këtij muaji mirëpo siç po shihet në këtë situatë në të cilën jemi ku nuk kemi qëndrim zyrtare të partive politike, përmes të cilave qëndrim ne do të mund të arrinim në përfundim që do të kemi një president të ri. Mirëpo e gjitha çfarë mund të themi është një fushatë parazgjedhore në mes subjekteve politike duke u munduar ta gjuajnë fajin nga një anë në anën tjetër”, ka thënë Kolshi.
E fundi i muajit qershor ose fillimi i muajit mund të jenë edhe datat kur vendi mund të shkojë edhe një herë në zgjedhje.
“Nëse ata vazhdojnë në këtë qasje duke mos bashkëpunuar dhe duke mos gjetur kompromis atëherë pas datës 28 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes i ka 45 ditë ku brenda këtyre ditëve duhet që ta gjejë një ditë të diel dhe që në konsultim me partitë politike ta shpall një ditë për zgjedhje”, u shpreh tutje Kolshi.
Por sipas politologut, Avdi Smajljaj, zgjedhjet nuk do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.
“Nga këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk pritet shumë të ndryshojnë gjërat, kriza prapë mund të jetë varësisht prej numrave, ose do të kemi prapë krizë për president ose do të kemi krizë për konstituim të Kuvendit edhe Qeverisë që do të thotë që kriza mund të thellohet… Nuk besoj që më këto qëndrime që i kanë partitë vendi mund të dal nga krizat”, ka thënë Smajljaj.
Lëvizja Vetëvendosje deri me tani nuk ka arritur të bëjë ndonjë marrëveshje politike me partitë opozitare për çështjen e presidentit. Madje nga PDK e LDK së kanë deklaruar se i kanë mbyllur diskutimet për president.






