Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka udhëhequr kthimin e shumëpritur të Fenerbahçes në Ligën e Kampionëve.
Muriqi të mërkurën shënoi gol për gjigantin turk që fitoi 2:1 në Francë ndaj Lyonit dhe bëri vend në fazën e ligës së Championsit pasi ndeshja e parë në Stamboll kishte përfunduar 1:1.
Fenerbahçe nuk ka luajtur për 18 vjet në Champions, ndërsa sulmuesi kosovar u kthye te Fenerbahçe këtë verë dhe menjëherë filloi me gjëra të mëdha.
Ai ka thënë se është nder dhe burim i krenarisë që në stadiumin e Fenerbahçes do të dëgjohet himni i Ligës së Kampionëve.
Muriqi nuk ka pasur fazë të mirë përgatitore pasi u lëndua në ditët e para, por punoi fort për rikuperim dhe gradualisht mori veten.
Shënoi gola në dy ndeshjet e fundit kurse goli në Lyon do t’i sigurojë edhe më shumë mbështetje nga tifozët e Fenerit, që edhe ashtu është maksimale.
Për Muriqin, goli i shënuar ndaj Lyonit ishte i pari në futbollin evropian të klubeve dhe vendimi i tij për t’u kthyer te Fenerbahçe po del të jetë i qëlluar.
Muriqi shkëlqeu sezonin e kaluar në La Liga, ku realizoi plot 23 gola, por Mallorca nuk siguroi mbetjen në elitën spanjolle dhe 32-vjeçari vendosi ta pranojë ofertën e Fenerbahçes, që e ka kërkuar për kohë të gjatë.






