Kreu i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, është shprehur se Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër qytetarët më të diskriminuar sot për sot në Evropë.
Murati, përmes një postimi në facebook ka thënë thelbi i zgjidhjes së problemit të Kosovës Lindore qëndron në shndërrimin e saj në çështje që kërkon zgjidhje reciprokisht të njëjtë me atë të serbëve në veriun e Kosovë.
“Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër qytetarët më të diskriminuar sot për sot në Evropë. Andaj çdo protestë dhe kërkesë e tyre është e drejtë. Por thelbi i zgjidhjes së problemit të Kosovës Lindore qëndron në shndërrimin e saj në çështje që kërkon zgjidhje reciprokisht të njëjtë me atë të serbëve në veriun e Kosovë. E kjo mund të bëhet vetëm nëse arrihet që kjo çështje futet në tryezën e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Murati.
Ndërsa ka shtuar se Qeverisa aktuale ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për reciprocitet, por asnjëherë nuk e shtroi çështjen e Kosovës Lindore në bisedime si një çështje që kërkon qasje serioze jashtë politikave e deklaratave ditore populiste.
“A është vonë për këtë qasje? Nuk besoj, sepse ende asgjë nuk është zgjidhur në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por kjo detyrë i takon qeverisë së Kosovës, e sidomos kësaj qeverie që ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për reciprocitet, por që asnjëherë nuk e shtroi çështjen e Kosovës Lindore në bisedime si një çështje që kërkon qasje serioze jashtë politikave e deklaratave ditore populiste”, tha ai.