Analisti i njohur Shenoll Muharremi ka shprehur mendimin se edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) arrin të formojë një qeveri, ajo do të jetë një qeveri e paqëndrueshme dhe joefektive për të menaxhuar situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi.
Sipas tij, një qeveri e tillë nuk do të mund të funksiononte për një periudhë të gjatë dhe nuk do t’i nevojitej askujt, as liderit të LVV-së, Albin Kurtit.
Ai ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Kosovës, duke e cilësuar diplomacinë e deritanishme si “thuajse kriminale”. Sipas analistit, kjo ka shkaktuar humbjen e aleatëve ndërkombëtarë dhe ka sjellë pasiguri në sektorin ekonomik, duke përmendur deficitin e madh të mallrave dhe largimin e qytetarëve nga Kosova për shkak të kushteve të vështira.
Për sa i përket energjisë, Muharremi ka theksuar se qeveria e Kurtit ka dështuar të krijojë kapacitete të reja dhe ka ndërprerë iniciativat për rritjen e kapaciteteve energjetike. Ai ka kritikuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë për herë të tretë, duke paralajmëruar një inflacion të ri.
“Çfarë qeverie dëshiron të formojë kështu? Kjo qeveri nuk i duhet askujt dhe LVV-në e dërgon edhe më poshtë se kaq,” ka thënë analisti, duke shtuar se LVV duhet të formojë një qeveri stabile dhe kompetente ose të kalojë në opozitë.
Muharremi ka përfunduar duke thënë se vitet e fundit kanë sjellë rritje çmimesh dhe ulje shprese, dhe se kjo qeverisje duhet të ndryshojë për të shmangur pasigurinë e mëtejshme.
Postimi i plotë:
LVV: Qeveri Stabile dhe Kompetente Ose Opozitë
Edhe hipotetikisht nëse LVV i gjen 3 deputetë dhe e formon qeverinë, ajo qeveri nuk i duhet askujt, as Kurtit. Një qeveri aq e lodht është afatshkurtër, nuk ka me arritë as me fillu me ‘ecë’.
Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe kompetente.
Stabile nënkupton që të zgjidhet nyja e presidentit, në mënyrë që mos me shku menjëherë në zgjedhje të tjera. Kompetente nënkupton me pas kapacitete për me i menaxhu situatat jashtëzakonisht të ndërlikuar që gjindemi në shumë fusha.
Albin Kurti dhe LVV nuk kanë më kredibilitet për me vazhdu me qeverisë sikurse deri më tani. Diplomacia, ashtu siç është drejtuar, ka qenë thuajse kriminale. Pa asnjë njohje e asnjë gjë të hajrit për katër vite. Përkundrazi, i kemi humbur aleatët.
Në ekonomi kemi pasur probleme të jashtëzakonshme.
Deficiti në mallra ka arritur gati 20 miliardë për një mandat. Si rezultat i situatës socio-ekonomike, qindra mijëra janë larguar nga fshatrat dhe gjithashtu jashtëzakonisht shumë nga Kosova.
Vetëm shikojeni në çfarë situate kemi përfunduar me energjinë.
Pa kapacitete të reja që nuk janë krijuar, e madje janë stopuar edhe iniciativat tjera. Sot propozohet nga kjo qeveri të rritet çmimi i rrymës për herë të tretë… duke shkaktuar një inflacion të ri, mbi inflacionin dhe çmimet astronomike që nuk janë rritur kështu prej dekadash.
Çfarë qeverie dëshiron me formu kështu? Kjo qeveri nuk i duhet askujt dhe LVV-në e dërgon edhe më poshtë se kaq. LVV ose duhet me formu një qeveri stabile dhe kompetente, ose me kalu në opozitë.
LVV-së i duhen kapacitete nga jashtë për menaxhimin e energjisë, diplomacisë, ekonomisë, arsimit…
Ndoshta LVV mund të kontribuojë në ushtri, mbrojtje dhe sundim të ligjit. Sidomos duke u fokusuar në reformën e drejtësisë. Por pjesën më të madhe të fushave të tjera nuk ka më pikë kredibiliteti për t’i menaxhuar.
Ajo që kemi parë vitet e fundit ka qenë tepër e dobët dhe nuk meriton një rast tjetër në atë formë.
Kështuqë, nuk ka shumë opcione të mira, ose duhet me bashkëpunu me kriju qeveri stabile dhe kredibile e kompetente me tjerët, ose duhet me shku në opozitë.
Vitet e fundit kemi pasur rritje çmimesh, e zbritje shprese. Përate kjo qeverisje nuk duhet me vazhdu kështu dhe duhet me ndryshu.