Mourinho rrëfen për Modricin: Te Reali dukej e pamundur, në fillim më masakruat me kritika…

- Advertisement -

José Mourinho e ka kujtuar transferimin e Luka Modricit te Real Madridi, njëra prej lëvizjeve më të rëndësishme të klubit madrilen në vitet e fundit.

Trajneri portugez ka folur në konferencë për shtyp për mesfushorin kroat në prag të ndeshjes ndaj Real Betisit, duke i rikthyer në kujtesë vështirësitë e mëdha që e shoqëruan transferimin e tij nga Tottenhami në verën e vitit 2012.

“E donim shumë, por ishte pothuajse e pamundur të negocioje me Daniel Levyn”, ka treguar Mourinho, duke iu referuar presidentit të atëhershëm të Tottenhamit.

Negociatat me klubin anglez zgjatën për një kohë të gjatë dhe ishin jashtëzakonisht të komplikuara. Real Madridi madje ishte pranë vendimit për t’u tërhequr nga operacioni.

“Kur ishim në Shtetet e Bashkuara, një ditë dukej se gjithçka ishte e mbyllur, ndërsa të nesërmen dukej e pamundur. Flisja vazhdimisht me José Ángel Sánchez. Një ditë ishte ‘po’, ditën tjetër ‘jo’”, ka rrëfyer Mourinho.

Në fund, dëshira e vetë Luka Modricit për t’u transferuar në Madrid e bëri diferencën.

“Modric donte të vinte. Për ne ishte lojtari ideal, sepse mund të luante si numër 6, si numër 8 apo si numër 10”, ka deklaruar trajneri portugez.

Mourinho i ka kujtuar edhe kritikat e shumta që i mori pas transferimit të Modricit, për shkak të paraqitjeve të tij në muajt e parë me fanellën e Real Madridit.

“Për disa muaj më masakruat”, ka thënë Mourinho duke iu drejtuar gazetarëve, duke iu referuar dyshimeve të shumta për nivelin e kroatit pas transferimit nga Tottenhami.

Por më pas, Modric arriti t’i bindte të gjithë me paraqitjet e tij. “Pastaj ai i bëri të gjithë të ndryshonin mendim dhe ua mbylli gojën të gjithëve”, ka përfunduar Mourinho.

Modric do të shndërrohej më vonë në njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm në historinë e Real Madridit, duke fituar gjithçka me klubin madrilen, përfshirë gjashtë trofe të Champions Leagues dhe “Topin e Artë” në vitin 2018.

Të ngjashme

Të fundit