Për shkak të motit të ligë dhe reshjeve të shiut, janë shkaktuar përmbytje në disa pjesë të Shqipërisë jugore të premten.
Sipas raportimeve nga Radio Evropa e Lirë, zona e Vlorës, në jugperëndim të vendit, është prekur më së shumti nga përmbytjet, duke detyruar rreth 30 familje të evakuohen nga shtëpitë e tyre
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, tha për mediat se situata mbetet shqetësuese dhe se edhe shumë familje të tjera kërkojnë të evakuohen.
“Prurjet e reshjeve ishin shumë të dendura. Shiu ra për një kohë të gjatë, 2 orë e 30 minuta pa ndalim, që shkaktoi dhe një efekt negativ tek pjesa e kanalit të ujërave të larta që ka dalë jashtë shtratit dhe gjithë uji ka vërshuar në mes të qytetit. Situata ka qenë realisht alarmante.” – tha Dredha.