Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se seanca e Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet të hënën për verdiktin e Gjykatës, Speciale, duhet që partitë politike të dalin me një qëndrim institucional me pajtim sa më të gjerë politik.
Ai ka thënë se do të ishte e papranueshme që seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës të përfundonte në përplasje partiake apo deklarata konkurruese për verdiktin e Hagës
“Do të ishte e papranueshme që seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës të përfundonte në përplasje partiake apo deklarata konkurruese për verdiktin e Hagës, të cilin vetë partitë po e cilësojnë si goditje ndaj UÇK-së dhe Kosovës”.
“Pas një vonese prej gati dy javësh, minimumi që u kërkohet partive parlamentare është të dalin me një qëndrim institucional me pajtim sa më të gjerë politik. Pas protestave e thirrjeve të mijëra qytetarëve në Kosovë dhe gjithandej botës për mbrojtjen e luftës çlirimtare, do të ishte fyerje për ta që nesër deputetët ta harxhonin seancën në përplasje e mospajtime me njëri-tjetrin, duke e kthyer edhe këtë çështje në vazhdim të përplasjeve të tyre të zakonshme”.
“Nëse partitë politike nuk arrijnë të bashkohen as për këtë çështje, atëherë për çka saktësisht janë të gatishme ta vënë interesin e vendit përpara interesit partiak?”, ka shkruar Cakolli në Facebook.






