Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se pjesëmarrja e Ferdonije Qerkezit në protestë është akt moral që vendos të gjithë përballë përgjegjësisë.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se Ferdonije Qerkezi nuk proteston për veten, teksa tha se historia e saj është ‘ndërgjegjja jonë kolektive’.
“Në një ditë të vetme, forcat serbe ia vranë burrin dhe katër djemtë. Djalin më të vogël e kishte vetëm 14 vjeç. E lanë vetëm. Ia shuan pragun e derës, por nuk arritën t’ia shuajnë zërin. Dhe kur, pas gjithë kësaj tragjedie, Ferdonije Qerkezi gjen forcën të dalë sonte në rrugë kundër padrejtësisë, kjo nuk është vetëm protestë. Është akt politik dhe moral që na vendos të gjithëve përballë përgjegjësisë sonë. Ferdonije Qerkezi nuk po proteston për veten. Në këmbët e saj qëndron një histori e tërë. Në heshtjen e saj janë mijëra zëra. Në qëndresën e saj është Kosova që nuk pranon të harrojë”, ka shkruar ai.






