Sindikata e Policisë së Kosovës vazhdon të jetë në pritje të një përgjigje nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në lidhje me 14 kërkesat e parashtruara me herët.
Kjo Sindikatë përmes këtyre kërkesave ka për synim përmirësimin e kushteve të policisë.
Në një prononcim për gazeta10, Imer Zeqiri, ka thënë se ende nuk kanë një konfirmim se kur do të ndodh takimime ministrin e Xhelal Sveçla.
Ai beson qe takimi me ministrin Sveçla do të ndodh sot ose nesër (e premte).
“Takimi do të ndodh këto dy ditë, pra sot ose nesër. Mirëpo ende nuk kemi konfirmim se në çfarë kohë do të mbahet takimi”, ka thënë Imer Zeqiri për Gazeta10.
Ai ka paralajmëruar se përveç 14 kërkesave të parashtruara me herët, në takim pritet të diskutojnë edhe për disa çështje të tjera të cilat janë në shërbim të përmirësimit të punës së policisë së Kosovës.
Kujtojmë që në fund të vitit të kaluar, njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme kanë mbajtur dy protesta para objektit të Qevreisë së Kosovës për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Ata i janë drejtuar me 14 kërkesa Ministrisë së Punëve të Brendshme. Deri me tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. /Gazeta10/
14 Kërkesat e policisë janë:
1 Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi siç janë: Veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.
2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë e përhershme dhe të mos varet nga një vend apo lokacion i caktuar si dhe kërkojmë që shtesat e rrezikshmërisë në punë të jenë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision që të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave të rrezikshmërisë.
3. Përfshirja e disa njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.
4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare i njëjtë me ligjin për FSK-në.
5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit për buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.
6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së që janë lënduar gjatë detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond ose të caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.
7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.
8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e PK-së, dhe jo në mënyrë selektive.
9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.
10. Shtesa për fundvit në vlerën e një page për të gjithë ata që kanë treguar përformancë të mirë gjatë fundvitit.
11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.
12. Të rikthehen tre paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.
13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë.
14. Përkujdesja për mirëqenie për pjesëtarët e PK-së që kanë rënë ose lënduar gjatë detyrës zyrtare si p.sh; shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët ose anëtarëve të ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.