Shuma e mjeteve që komunat e VV-së po përfitojnë nga kjo ministri përmes këtyre memorandumeve është shumë më e madhe se ajo e komunave që qeverisen nga partitë tjera. Ndonëse komunat e VV-së janë vogla, nga këto marrëveshje ato kanë përfituar miliona euro, raporton Nacionale.
Vetëm të martën, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me komunën e Shtimes dhe atë të Lipjanit.
Nga ajo që ka treguar ministri Aliu në “Facebook”, shihet që komuna e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu do të mbështetet me një milion euro për projekte të ndryshme. Sipas tij, këto mjete do të shkojnë për asfaltimin e dy rrugëve.
Në të njëjtën ditë, ministri Aliu ka nënshkruar memorandum të tillë me Komunën e Lipjanit, e cila udhëhiqet nga zyrtari i LDK-së, Imri Ahmeti. Shumë më të cilën do të mbështet kjo komunë nga qeveria është shumë më e vogël.
Sipas memorandumit, kjo komunë do të mbështet vetëm me 370 mijë euro.
Komuna e Shtimes nuk është e vemja që përfiton një milionë euro nga Qeveria Kurti.
Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV-së, do të mbështet nga ministria e Aliut me 1, 036,650.00 euro.
Me këto mjete do të mbështeten katër projekte infrastrukturore.
Po ashtu, Komuna e Kamenicës, që drejtohet nga Kadri Rrahimaj i VV-së, do të përfitojë mbështetej të madhe nga qeveria.
Sipas memorandumit, kjo komunë nga qeveria do të përfitojë 1,045,000.00 euro.
Komuna e Gjilanit do të mbështet me 400 mijë euro, kurse ajo e Mitrovicës së Veriut me 368 mijë euro.
Nga këto memorandume, vetëm Komuna e Prishtinës ka përfituar 1,500,000 euro.
“Qëllimi i këtij Memorandumi është bashkëfinancimi i projekteve infrastrukturore për projektet si më poshtë: Ndërlidhja e rrugës Kolovicë – Sofali; Vazhdimi i rrugës “Bajram Bahtiri”, rrugë kjo me 4 korsi; si dhe Kyçja në rrethin e Lakrishtës (ndërlidhja e Unazës së qytetit me rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe rreth rrotullimin e Lakrishtës). Njashtu, ditëve në vijim do të nënshkruajmë memorandumet me Komuna tjera për projekte që janë në interes të qytetarëve, e që ndërlidhen me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar ministri Aliu në postimin e tij në “Facebook”.
Cilat janë komunat tjera që kanë përfituar?
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës memorandume të tilla ka nënshkruar edhe me disa komuna tjera. Komuna e Vushtrrisë, e cila udhëhiqet nga PDK-ja nga ky memorandum ka përfituar mbi 500 mijë euro për mbështetje të projekteve të ndryshme. Edhe Skenderaj, Drenasi, Ferizaj, Hani i Elezit, Junikut, Deçanit, Dragashit, Obiliqi dhe Fushë Kosova janë përfituese.
Gjithashtu, memorandume të mirëkuptimin janë nënshkruar edhe me komunat që drejtohen nga komunitet. Deri me tani dokumente të tilla ministria ka nënshkrua me Komunën e Ranillugut, Artanës dhe Graqanicës.
Drejtuesit e ministrisë kanë paralajmëruar se memorandume të tilla do të nënshkruhen edhe me komunat tjera.
Opozita vazhdimisht është ankuar se Qeveria e Kosovës po diskriminon komunat të cilat udhëhiqen nga zyrtarët e partive opozitare.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë me dije se Qeveria Kurti favorizon me buxhet Podujevën, Shtimen, Kamenicën dhe Gjilanin, komuna këto që i ka fituar në zgjedhjet e fundit lokale. /Nacionale/