11.1 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Ministria e Financave ua bllokon sërish komunave mjetet nga të hyrat vetjake, AKK alarmon se po rrezikohen projektet

- Advertisement -

Përplasjet mes komunave dhe Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, s’po marrin fund. Pas asaj që patën muaj më parë për çështjen e tatimit në pronë, komunat kanë alarmuar sot se u janë bllokuar mjetet nga të hyrat vetanake gjatë vitit të kaluar. Paratë komunave u ishin bllokuar edhe vitin e kaluar. Madje, ishte ndryshuar edhe Ligji që të mund t’u ktheheshin.

Ministria e Financave ua ka bllokuar komunave mjetet nga të hyrat vetjake gjatë vitit të kaluar. Për këtë ka alarmuar sot Asociacioni i Komunave të Kosovës.  Nga AKK kanë thënë se është absurde që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qendror.

“Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye”, kanë deklaruar nga AKK.

Komunat i kanë kujtuar Muratit se e ka  obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave.

Me bllokimin e tyre, thonë se po rrezikohen projektet.

“Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar.  Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror”, thuhet në reagim.

Murati ende nuk ka bërë ndonjë reagim për këtë çështje.

Të hyrat vetanake komunave u ishin bllokuar edhe vjet.  Për këtë kishte reaguar publikisht Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili kishte thënë se qeveria po tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave.

Atëherë bëhej fjalë për 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit.

Ai kishte kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në të kundërtën kishte thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

Për zhbllokimin e tyre, ishte dashur të ndryshohej Ligji për Buxhetin. Kjo kishte ndodhur vetëm pasi Lidhja Demokratike kishte kushtëzuar votimin e projektligjeve me zhbllokimin e këtyre mjeteve.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit