Ministri Cassis sot në Prishtinë, në fokus marrëdhëniet Kosovë – Zvicër dhe dialogu me Serbinë

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis do të qëndrojë sot në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, e cila po zhvillohet nga 4 deri më 6 nëntor.

SipasDepartamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, vizita synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen e integrimit evropian dhe promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca.

Në fokus të diskutimeve do të jetë marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e arritur në kuadër të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA), e cila tashmë ka hyrë në fuqi.

Një tjetër çështje me rëndësi pritet të jetë mbështetja e Zvicrës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Agjenda e ministrit zviceran përfshin edhe një vizitë në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, ku Zvicra kontribuon që nga viti 1999 përmes kontingjentit të saj SWISSCOY.

Cassis, i cili aktualisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të vizitojë gjithashtu misionet e kësaj organizate në Kosovë për t’u njohur nga afër me aktivitetet dhe sfidat e tyre në terren.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se vizita riafirmon lidhjet e ngushta ndërmjet Zvicrës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë forcuar ndër vite edhe falë diasporës së madhe nga ky rajon që jeton në Zvicër.

Në takimet e parapara pritet të theksohet rëndësia e dialogut, trajtimit të së kaluarës dhe garantimit të të drejtave dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve në rajon.

 

Të ngjashme

Të fundit