Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Milaim Zekës, i akuzuar për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” ndaj të dëmtuarës B.D.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkonte Zekën se pa autorizim e ka incizuar fshehurazi të dëmtuarën B.D në një restorant në Prishtinë, derisa kjo e fundit kishte kërkuar nga ai që mos ta përmend djalin e saj në shkrimet e tij apo kudo tjetër. Por më pas, në aktin akuzues thuhet se i akuzuari atë incizim ia kishte kaluar personave të tretë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Zeka u shpall të mërkurën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjykatësit Sadikaj, i akuzuari lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej.
Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205, par. 2, lidhur me par 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.