Messi ia jep lamtumirën Argjentinës: Sot është dita më e trishtë e karrierës sime

- Advertisement -

Lionel Messi ia ka dhënë lamtumirën kombëtares së Argjentinës në një mënyrë emocionuese.

Pas fitores 3-0 ndaj Beninit në “Monumental”, kapiteni legjendar iu drejtua më shumë se 85 mijë tifozëve në stadium, në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e “Albicelestes”.

Messi e mbylli aventurën e tij me Argjentinën me një gol dhe dy asistime, ndërsa pas ndeshjes mori mikrofonin për t’i dhënë lamtumirën tifozëve.

“Përjetoj shumë emocione. Natyrisht, gjëja e parë që më vjen në mendje është babai im”, e nisi fjalimin Messi.

Më pas, ai foli për krenarinë që e ka ndjerë gjatë gjithë karrierës duke mbrojtur fanellën e Argjentinës.

“Ne donim shumë të bëheshim sërish kampionë bote. Kemi dhënë maksimumin. Ndeshja me Anglinë ishte jashtëzakonisht rraskapitëse për ne, fizikisht dhe emocionalisht. Luftuam si gjithmonë, por fatkeqësisht nuk arritëm të bëheshim kampionë”, tha Messi.

“Për mua, të vesh fanellën e Argjentinës ka qenë një krenari. Të luaja për këtë kombëtare ka qenë gjëja më e bukur që mund të më ndodhte”, shtoi ai.

Messi pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët argjentinas, duke i falënderuar për mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve, sepse keni qenë gjithmonë aty dhe më keni dhënë dashuri pa kufij. Kudo që luanim, ndiheshim si në shtëpi, edhe kur ishim mysafirë, sepse ju ishit gjithmonë aty”, u shpreh kapiteni.

Momenti më emocional erdhi kur Messi foli për atë që përjetoi në “Monumental” pas triumfit në Kupën e Botës.

“Këtu, në Monumental, kam përjetuar një nga momentet më të bukura të jetës dhe karrierës sime, kur u rikthyem për të luajtur pas fitores së Kupës së Botës. Sot po përjetoj momentin më të trishtë të karrierës sime”, deklaroi ai.

Megjithatë, Messi bëri të qartë se do të vazhdojë ta mbështesë kombëtaren, tashmë si tifoz.

“Tani kaloj në anën tuaj. Jam njëri prej jush dhe do t’i mbështes këta djem”, tha Messi.

Në fund, ai kërkoi nga tifozët që ta mbështesin grupin e ri të lojtarëve.

“Duhet ta duam këtë grup, sepse ka njerëz që nuk e duan kombëtaren. Grupet e vërteta shihen në momentet e vështira. Ne ishim një grup i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye fituam gjithçka”, përfundoi Messi.

Ai e mbylli fjalimin me një mesazh të fortë: “Jam krenar që jam argjentinas dhe që e kam realizuar ëndrrën time së bashku me të gjithë ju.”

Të ngjashme

Të fundit