Mësimi për gjenerata nga prof. Dr. Alush Gashi!

- Advertisement -

Nga Skënder Berisha

Alush Gashin para vitit 2007, e kisha njohur së largu më shumë si profesor të shquar të Anatomisë, këshilltar për media, anas e mik me Presidentin Rugova dhe të patejkalueshëm në fotot e rëndësishme me amerikanët.

Prof. Dr. Alush Gashin, të vërtetin e njoha kur u emërua Ministër i Shëndetësisë, më 2007. Nga dita e parë, mora rekomandim të vazhdoja punën time si Drejtor i komunikimit në Ministri, siç është më së miri.

Me modesti, pas disa ditëve iu drejtova: “Zotni Ministër, ju mund ta emëroni zëdhënësin politik në Ministri e unë si staf civil, do ta mbështes punën për aq sa di e mundem. Nuk më ka falë zoti të bukur e për kamera, prandaj, bëni zgjidhje dhe për ta lehtësuar emërimin, do të largohem me dorëheqje”.

Me rrëmbim, më tha: “Kush të ka thënë gjë, vazhdo punën”.

Ishin vite sa sfiduese, aq domethënëse jo vetëm për shëndetësinë, por edhe për shtetin e shtetësinë, po përgatitej shpallja e Pavarësisë.

Nga ditët e para të mandatit si Ministër, filluan shpifjet, megjithëse Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, kishte moshë pesëvjeçare.

Një gazetë e shtypur me shtrirje nacionale, botoi shpifje të ulëta kundër Ministrisë. Pasi e diskutuam shtypin e mëngjesit, Ministrit i thash se kjo shpifje meriton përgjigje të menjëhershme.

“Në rregull, përgjigju”, më tha Ai.

Shpifjeve iu përgjigja me fjalor dukshëm më të butë, e shtypa reagimin dhe e lash në Kabinet. Pas disa minutave, kolegia e Kabinetit në telefon më tha se urgjent po të thërret Ministri. Shkova shpejt në zyrë, Ministri ishte në këmbë dhe mbante reagimin e shtypur në dorë.

Pa hyrë mirë brenda, me nervozizëm më tha: Çka është kjo?

Reagim, u përgjigja, reagim i butë ndaj shpifjeve të rënda.

“Jo, ky nuk është reagim. Ky është helm. Ne jemi institucion, ne nuk guxojmë të prodhojmë helm. Sa jam unë ministër, nuk dua helm në komunikim, asnjë fjalë e asnjë porosi nuk e dua me helm. Ti je përgjigj me helm. Këtë nuk e lejoj. Tepër kemi vuajt për ta përdorur helmin kundër njëri-tjetrit. Nuk guxojmë ta helmojmë Kosovën me fjalë të rënda. Mediat lë të shkruajnë çka të duan, kemi liri të shprehjes e mendimit, dua me dy paragrafë të japim sqarim objektiv për opinion, jo reagim, kaq. Nuk qëndrojnë konstatimet e filan mediumit dhe pikë”, janë afërsisht ato që mi tha Prof. Dr. Alush Gashi, Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, 2007-2010.

Ky ishte mësimi më i vyer prej se kisha marrë detyrën e zyrtarit të Republikës së Kosovës, më 2002. Mësimi i Profesorit do të më përcjell deri në minutën e fundit të jetës time, është mësim që jam përpjekur ta përcjellë tutje, mësimin për gjenerata: Shkrim pa helm. Populli ynë ka vuajtur tepër, nuk ka nevojë për më shumë helm!

Faleminderit Profesor!

Të ngjashme

Të fundit