Publicisti Kim Mehmeti ka folur për ndikimin e protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët dolën në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mehmeti është shprehur se shpreson që kjo lëvizje studentore të jetë një zë ndryshe, i cili nuk synon vetëm pushtetin, por kërkon edhe shtetin, duke kërkuar, siç tha ai, që të jetë pjesë e vendimmarrjes dhe jo vetëm bartës i pushtetit.
“Parimisht, aty ku dëgjohet zëri i rinisë ka shpresë. Aty ku nuk dëgjohet, veçanërisht zëri i studentëve, do të thotë se nuk ka fare bërthamë që mund t’i lëvizë gjërat përpara, sidomos në Maqedoni,” ka thënë Mehmeti.
Ai ka shtuar se shpreson që kjo lëvizje të mos kufizohet vetëm në kërkesa për pushtet, por të synojë ndërtimin e shtetit dhe përfaqësimin real në të.
“Ne kemi qenë në pushtet edhe në kohën e Perandorisë Osmane, edhe në kohën e Jugosllavisë së Titos, por nuk e kemi drejtuar shtetin. Ky është dallim i madh,” është shprehur ai.
Sipas Mehmetit, një gjeneratë e re në Maqedoni duhet të kuptojë se lufta nuk është vetëm për çështje gjuhësore, por për një rol më të qartë dhe më të barabartë të shqiptarëve në shtet, ku ata duhet të jenë “pjesë e shtetit dhe jo vetëm të duken si të tillë”.
Ndryshe, studentët e Universitetit të Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, kanë protestuar më 6 prill në Shkup.
Ata janë ankuar se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.






