Edon Zhegrova ishte edhe një herë protagonist tek Juventusi.
Ylli kosovar u inkuadrua në lojë kundër Napolit në pjesën e dytë dhe arriti të asistojë në fitoren 2:0.
Dhe, kjo paraqitje e futbollistit anësor u ra në sy mediave, të cilat i thurën lavde atij.
Kësisoj, edhe disa nga mediat më të mëdha në Evropë, si “Goal”, “Tuttomercatoweb” e “Corriere Della Sera” i kanë dërguar mesazh Spallettit se Zhegrova meriton më shumë minuta.
“Nga një aksion i tij lindi goli për 1-0. U fut në lojë dhe i dha gjallëri skuadrës. Padyshim meriton më shumë hapësirë”, shkroi “Tuttomercatoweb”.
“Freskia dhe energjia e re që bën diferencën”, shtoi “Corriere Della Sera”.
Ndërsa, “Goal” e përmendi faktin se si Zhegrova i shtoi probleme skuadrës mysafire.
“I futur në lojë në minutën e 59-të, Zhegrova solli freski dhe më shumë depërtim në sulmin e Juventusit. Rreth minutës së 75-të, ai pati dy goditje radhazi që u bllokuan nga mbrojtja e Napolit, duke e mbajtur kundërshtarin nën presion, ndërsa Juventusi kërkonte golin e fitores”.






