Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur në lidhje me mbylljen e pesë institucioneve paralele ilegale në veri.
Ai është shprehur se këto institucione janë quajtur të përkohshme dhe është ardhur momenti që mbyllen.
Sadiku u shprej se e mira në gjithë këtë, është se sipas tij, nuk ka pasur reagime, siç u shpreh ai, “posaçërisht nga komuniteti shumicë serb”.
“Këto institucione e kanë pasur një emër tjetër, janë quajtur institucione të përkohshme dhe është ardhur momenti që këto institucione edhe pse në marrëveshje më të hershme edhe këto institucione kanë qenë të shuara, pra nuk është dashur të funksionojnë dhe i ka ardhur radha dalëngadalë që edhe këto institucione të përkohshme të mbyllen dhe të sjellet normaliteti”.
“Por, e mira në këtë tregim është që nuk ka reagime, posaçërisht nga komuniteti shumicë serb, të cilët dalëngadalë, shpresoj që veç po fillon edhe zbatimi i marrëveshjeve, të cilat pavarësisht zërave që janë duke u bërë në Prishtinë dhe Beograd, këtu në terren, implementimi i marrëveshjeve është duke shkuar qetë dhe është duke shkuar mirë. Definitivisht jemi duket ardhur tek një normalizim”, është shprehur ai.