Në kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Shtutgart, Podgoricë dhe Vjenë, janë tërhequr votat e para të dërguara nga votuesit e diasporës.
Kështu ka njoftuar ky institucion, duke bërë të ditur se në këto kuti postare janë pranuar gjithsejtë 6,846 zarfe me vota nga tri qytetet e sipërpërmendura.
KQZ-ja tha se me qëllim të mundësimit të votimit përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe duke filluar nga sot, KQZ ka filluar me tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare, në të cilat shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës mund të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim.
“Në përputhje me procedurat, gjatë ditës së enjte është realizuar tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart të Gjermanisë dhe të njëjtat janë dërguar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në këtë qytet, të cilat janë vendosur në dhomën e sigurisë dhe që vëzhgohet me kamera 24 orë”, njoftoi KQZ-ja.
Ky proces u tha se është realizuar nën mbikëqyrjen e anëtarëve dhe stafit të KQZ-së, vëzhguesve të subjekteve politike të akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe të përfaqësuesve të autorizuar të përfaqësisë diplomatike.
Këto pako me fletëvotime dhe të tjerat që do të tërhiqen në mënyrë të herëpashershme, KQZ-ja tha se do të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim.
“Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja”, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ky institucion njoftoi po ashtu se ka realizuar edhe tërheqjen e 80 pakove me fletëvotime nga kutia postare në Podgoricë të Malit të Zi, të cilat u tha se janë transportuar si pako diplomatike dhe janë vendosur në hapësirën për grumbullimin dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime në objektin e KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ, nën monitorimin e vëzhguesve të subjekteve politike ka tërhequr 712 pako me fletëvotime nga kutia postare në Vjenë të Austrisë, të cilat do t’i nënshtrohen procedurës së njëjtë.
Periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.