Një shtetas shqiptar 68-vjeçar është arrestuar në Follorinë të Greqisë, pasi dyshohet për trafikim të një sasie të madhe lënde narkotike.
Operacioni është zhvilluar nga oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë, të cilët kanë vepruar pas shfrytëzimit të informacionit operacional dhe në kuadër të masave për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas autoriteteve greke, policia ka lokalizuar mëngjesin e djeshëm automjetin që drejtohej nga 68-vjeçari në një zonë të Follorinës.
Gjatë kontrollit të mjetit, janë gjetur dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me marihuanë, me peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe tre telefona celularë, të cilët do të përdoren për hetime të mëtejshme.
Sipas autoriteteve greke, kohët e fundit është konstatuar një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 11 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.
Rastet më të shumta lidhen me linjën e trafikut Sarandë–Igumenicë, nga e cila dyshohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona.
Në një prej rasteve më të bujshme, autoritetet greke kanë bllokuar në Igumenicë edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike






