Me emrin e luftëtarit të mitologjisë, Ajax, ishte menduar të ishte automjeti i parë i ri i blinduar i ushtrisë britanike në një gjeneratë, i projektuar për ta bërë ushtrinë më vdekjeprurëse në fushën e betejës, sipas Daily Mail.
Për prodhimin e tij, u miratuan 5,5 miliardë paund, nga të cilat deri tani janë shpenzuar 3,2. Por edhe pse mendohej se do të ndërtoheshin 589 të tillë, kompania prodhuese ka prodhuar deri më tani vetëm 26 tanke, nga të cilët asnjë prej tyre nuk është përdorur në fushën e betejsë pasi nuk ka kaluar testimet.
Për këtë arsye sipas mediave britanike, projekti mund të shkojë dëm duke ngritur dyshime mbi shpenzimin e një shume kaq të madhe, sidomos në kohë krize, raporton Abcnews.al.
Lajmi vjen në një kohë kur ministri i ri i Financave, Jeremy Hunt, paralajmëroi se do të merren vendime të vështira mbi taksat dhe shpenzimet, pas kaosit të shkaktuar nga vendimet e pararendësit të tij, Kwasi Kwarteng.
Për projektin e ndërtimit të tankut modern u punësuan 800 persona. Zyra Kombëtare e Auditit paralajmëroi se pengesat e shfaqura deri tani mund të rezultojnë të pakapërcyeshme.
I ndërtuar nga kompania General Dynamics, tanku Ajax duhet të ishte fjala e fundit e teknologjisë sa i përket mjeteve të rënda luftarake.
Por sipas një raporti, deri në dhjetor 2021, më shumë se 300 persona, pjesë të personelit ushtarak, mund të jenë lënduar gjatë testimeve të tij. Tanku duhet të ishte gati brenda vitit 2017, por tashmë që projekti është shtyrë dy herë, në fund të këtij viti mund të merret vendimi përfundimtar për ta mbyllur atë.