Matoshi kërkon reagim nga Kosova pas humbjes ndaj Austrisë: Duhet ta fitojmë ndeshjen me Izraelit

- Advertisement -

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Valmir Matoshi, ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga “Dardanët” pas humbjes ndaj Austrisë, duke theksuar se fitorja ndaj Izraelit është objektivi i vetëm në ndeshjen e radhës.

Kosova do të përballet me Izraelin këtë të enjte në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, me synimin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

Matoshi u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Austrisë, ku arriti të fitojë penalltinë nga e cila Edon Zhegrova shënoi golin e vetëm të Kosovës.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), mesfushori analizoi paraqitjen e skuadrës, duke pranuar se rastet e humbura dhe gabimet në pasime ndikuan në rrjedhën e ndeshjes.

“Për neve nuk ka qenë e lehtë, sepse e kemi pasur një rast të mirë shënimi në fillim, por nuk e dhamë. Loja pastaj ka qenë komplet ndryshe. Kemi humbur topa të lehtë në të dyja pjesët”, u shpreh Matoshi.

Ai bëri thirrje që humbja ndaj Austrisë të lihet pas dhe që të gjithë lojtarët të japin më shumë në përballjen me Izraelin.

“Këtë lojë e kemi lënë anash, tash të shohim. Duhet të presim më shumë prej krejtve, duhet me fitu këtë lojë. Jemi ekipi më i fortë dhe ishalla fitojmë”, deklaroi mesfushori.

Përballja Izrael – Kosovë zhvillohet të enjten, me fillim nga ora 20:45.

Të ngjashme

Të fundit