9.1 C
New York
Saturday, April 20, 2024

Buy now

“Masha e VV-së”: Si u përgjigjën zyrtarët e partisë në pushtet kur u pyeten se a “kontrollohen” nga Dejona Mihali?

- Advertisement -

Nuk mban ndonjë pozitë në institucionet e Kosovës, nuk bën paraqitje të shpeshta publike, por është koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendoshe dhe roli i Dejona Mihalit, duket se shkon përtej kësaj. Këtë, e kishte konfirmuar në njëfarë mënyre deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pra një person i njohur për së afërmi me partinë në pushtet. Nëpër paraqitje të ndryshme, zyrtarë të VV-së nuk ka se si të mos pyeten për këtë figurë të fuqishme të partisë së tyre, si u përgjigjen ata?

Në një konferencë për media të mbajtur para disa javësh, deputeti Haki Abazi mes tjerash do të fliste edhe për Dejona Mihalin.

Të njëjtën, ai madje e quajti edhe “masha e kontrollit të grupit parlamentar” dhe njeriun kryesor brenda grupit të VV-së.

“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty.” – tha Abazi.

A mori leje Konjufca nga Mihali për intervistën e fundit?

Në fakt, kjo ishte një prej pyetjeve që iu shtrua kryeparlamentarit Glauk Konjufca në një prej intervistave të dhëna së fundi për ATV.

“A keni pasë nevojë me kërku leje prej Dejona Mihalit për këtë intervistë?” – e pyeti gazetari shkurt.

Konjufca u përgjigj shkurt: “Nuk po e kuptoj këtë pyetje”.

Gazetari sërish insistoi duke e pyetur se a i ka parë kritikat, me shumë gjasë, ndaj kësaj figure në LVV.

“I kam pa, por nuk i determinojnë pyetjet. Jo aspak (nuk qëndrojnë kritikat)” – tha Konjufca.

A ia shkruan Mihali fjalimet shefes së grupit parlamentar, Kusari-Lilës?

Edhe kjo gjë, u diskutua në një prej intervistave të dhëna së fundi nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Politikanja shumë e zëshme në listën e Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk ia shkruan fjalimet kolegia e saj, duke thënë se VV-ja është “organizatë e madhe që funksionon shumë mirë dhe është e shtrirë shumë gjërë”.

“Unë jam liberale. Nuk kam lejuar asnjëherë të jem kontrolluar nga dikush apo të kem subordinim. Por me Dejonën unë kam pasur bashkëpunim fenomenal me të dhe ka pasur raste kur kemi pasur mospajtime, por i kemi biseduar si njerëz të rritur. Nuk është aspak e vërtetë që më ka shkruar ndonjë fjalim ndonjëherë. Absolutisht nuk e dirigjon. Nuk është e vërteta deklarata e Abazit. Ajo ka rol, por është në kontekst të organizatës pasi bëhet fjalë për një organizatë të madhe politike që funksionon shumë mirë dhe është e shtrirë shumë gjerë.”- tha Kusari-Lila në Pressing.

Reagimi i dy deputetëve

VV-ja realisht, nuk ka folur shumë për kritikat që tashmë janë bërë tepër të shpeshta ndaj Mihalit dhe “Grupit të Tiranës” në përgjithësi.

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci para disa ditësh në një intervistë për Kanal 10 mohoi që Mihali të ia ketë shkruar ndonjëherë, apo kontrolluar, fjalimet.

“Unë Dejona Mihalin e shoh vetëm kur kemi ndonjë takim në Kuvend. Unë kurrë nuk i kam dorëzuar asnjë fjalim për shkrim as për përmirësim.” – kishte thënë ai.

Ndërkaq, deputetja Tinka Kurti kishte bërë një reagim në Facebook, duke akuzuar ata që po kritikojnë “Grupin e Tiranës” se kanë bazë anti-kombëtare”.

Kurti kishte numëruar disa “vepra” të këtyre zyrtarëve, duke thënë se Mihali ishte vullnetare në kampet e refugjatëve.

“Dejona Mihali ishte vullnetare në kampet e refugjatëve. Si një refugjate e asaj kohe e strehuar në Shqipëri, më duket e pabesueshme që dikujt i pengon prania e njerëzve nga Republika e Shqipërisë.” – kishte deklaruar ajo. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit