Maroku për herë të parë me një grua në krye të qeverisë, mbreti i beson postin Fatima Zahra El Mansourit

- Advertisement -

Mbreti i Marokut, Mohammed VI, i ka besuar postin e kryeministres një gruaje, Fatima Zahra El Mansouri, pas fitores së partisë së saj në zgjedhjet parlamentare.

Kjo është hera e parë që një grua drejton qeverinë e Marokut. Monarku priti El Mansourin, koordinatore kombëtare e Partisë së Autenticitetit dhe Modernitetit (PAM), në pallatin mbretëror në Rabat dhe i besoi asaj formimin e qeverisë së re.

Partia e qendrës së djathtë, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës në largim, siguroi 97 nga 395 mandatet në Dhomën e Përfaqësuesve, në zgjedhje që u karakterizuan nga një pjesëmarrje e ulët, vetëm 38%, niveli më i ulët në rreth dy dekada.

Avokatja 50-vjeçare nuk ka shumicën absolute dhe do të duhet të mbështetet te partitë e tjera për të formuar qeverinë. Megjithatë, orientimet kryesore të sektorëve strategjikë të vendit mbeten ekskluzivisht në kompetencë të mbretit.

El Mansouri iu bashkua PAM që në themelimin e saj, në vitin 2008, nga ish-këshilltari i mbretit, Fouad Ali El Himma, i cili u tërhoq nga politika në vitin 2011.

Nën siglën e PAM, ajo shkroi historinë në Marrakech, kur në moshën 33-vjeçare u bë gruaja e parë në krye të bashkisë së qytetit, në vitin 2009. Në vitin 2021, ajo u rizgjodh për një mandat të dytë si kryetare e bashkisë.

El Mansouri ishte ministre e Strehimit në qeverinë në largim të Aziz Akhannouch dhe në zgjedhjet e 23 shtatorit u zgjodh deputete.

El Mansouri synon të përballet me problemet e zgjatura socio-ekonomike të vendit dhe të rikthejë besimin e qytetarëve te politika. Gjatë fushatës elektorale, partia e saj premtoi se rritja ekonomike do të arrinte mesatarisht 5% në vit, ndërsa inflacioni do të ulej në 2%, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe krijimin e të paktën 1 milion vendeve të reja të punës.

Rassemblement National des Indépendants (RNI), partia nga e cila vjen kryeministri në largim Aziz Akhannouch, u rendit e dyta në zgjedhje me 66 mandate, duke humbur 30 vende krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Partia Istiqlal, e cila ishte gjithashtu pjesë e koalicionit qeverisës në largim, siguroi 65 mandate.

Në opozitë, Partia Islamiste për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD), e cila e përqendroi fushatën te lufta kundër korrupsionit, katërfishoi numrin e mandateve, nga 13 në 54.

Një ditë pas zgjedhjeve, sekretari i përgjithshëm i PJD-së, Abdelilah Benkirane, përjashtoi mundësinë që partia e tij të bëhej pjesë e një qeverie koalicioni. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit