Marmullakaj: Me këtë ritëm, Kosova nuk do t’i zbatojë as 15 për qind të hapave të Planit të Rritjes

- Advertisement -

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, në emisionin Tempus të Betimit për Drejtësi, ka thënë se, sipas përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Kosova me ritmin aktual nuk mund t’i zbatojë as 15 për qind të hapave të paraparë në Planin e Rritjes.

Sipas Marmullakajt, ky vlerësim u dha nga një përfaqësues i Bashkimit Evropian gjatë një takimi.

“Nëse e marrim për bazë deklarimin e përfaqësuesit të BE-së në atë takim, që Kosova nuk ka arritur t’i zbatojë as 15 për qind të hapave, atëherë humbjet do të jenë më të mëdha. Po flasim për një set obligacionesh që është dashur të zbatohen. Vlera e tyre shkon përafërsisht në rreth 100 milionë euro. Nëse Qeveria nuk ka pasur kapacitet t’i zbatojë, atëherë përgjegjësia bie mbi Qeverinë”, është shprehur Marmullakaj.

Paraprakisht, edhe drejtori ekzekutiv i Sbunker, Fitim Gashi, e bëri përgjegjëse partinë në pushtet për humbjet e Kosovës në raport me Planin e Rritjes.

“Tash po përmendet humbja e këtyre 40 milionë eurove, e së fundmi patëm edhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian se këto mjete tashmë do t’u shpërndahen shteteve të rajonit që kanë avancuar shumë më tepër se Kosova në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Nëse krahasojmë me periudhat e kaluara, Kosova ka qenë edhe para këtyre shteteve në çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Gashi.

Sipas Gashit, Kosova rrezikon të humbë sërish fonde.

“Ngecjet kanë ndodhur gjatë viteve të fundit dhe, padyshim, përgjegjësia politike i takon partisë në pushtet, e cila ka qeverisur gjatë këtyre viteve… Madje, Kosova rrezikon të humbë përsëri fonde”, shtoi Gashi.

Paraprakisht, panelisti Jeton Zulfaj sqaroi se si ndodhi humbja e rreth 43 milionë eurove.

“Përllogaritja është rreth 43 milionë, por nuk mund të themi me saktësi, sepse, ta zëmë, te strategjia kundër krimit të organizuar, njëri nga nënhapat është fondi i konfiskimit. Pra, a mund ta llogarisim nëse e kemi plotësuar? Kjo varet nga Bashkimi Evropian”, tha Zulfaj.

Të ngjashme

Të fundit