Kosova ka hyrë në një fazë të jostabilitetit politik që nga 9 shkurti i vitit 2025, si rezultat i qasjes së subjektit më të madh politik për dominim të pushtetit, vlerëson politologu Albinot Maloku, derisa paralajmëron se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Ai tha se kjo situatë është krijuar me vullnet politik dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve.
“Prej nëntë shkurtit të vitit 2025, Kosova ka hyrë në një fazë të jostabilitetit politik. Dhe kjo me vullnetin maksimal të subjektit i cili e ka për synim thelbësor gllabërimin e fuqisë përbrenda hierarkisë shtetërore të vendit dhe maksimalisht edhe në segmente të tjera. Kulturë kjo politike aspak e ndershme për nevojat e qytetarëve të vendit”, tha ai.
Maloku theksoi se procesi i mundshëm zgjedhor është duke u kërkuar nga subjekti më i madh në vend, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të gjykojnë mbi bazën e fakteve.
“Kurse sa i përket asaj se a ndihmon ndonjë send ose ndonjë gjë procesi zgjedhor i ri në vend, konsideroj që kjo është ajo çfarë po e kërkon subjekti më i madh në vend. Dhe duhet të marrë edhe një përgjigje. Po paralelisht asaj edhe qytetarët do të duhej të gjykojnë jo mbi bazën e perceptimeve dhe të narrativave që provohen të krijohen në opinion, mirëpo mbi bazën e fakteve se çfarë përjetoi Republika e Kosovës prej sidomos nëntë shkurtit të 2025-ës e deri më tani, e çfarë do të përjetojë edhe më pastaj duke e pasur të shtresuar këtë lloj pozicioni të krizave të llojllojshme përbrenda vendit, të izolimit e llojllojshëm, dhe të gjitha këtyre situatave aspak të mira për qytetarin e vendit dhe për Republikën”, tha ai.
Ai shtoi se zgjedhjet eventuale mund të ndryshojnë raportet politike në Kuvend, por theksoi se pa kompromis nuk mund të ketë funksionim të sistemit politik.
“Unë konsideroj që procesi zgjedhor si i tillë do t’i ndryshojë pozicionet, pozicionet e subjekteve politike. Kur them pozicionet aludoj tek pozicioni i tyre përbrenda Kuvendit të Republikës dhe për rrjedhojë të shpresohet gjithëherë që megjithatë me një moment të caktuar do të kuptojnë që kryefjala e rendit kushtetues dhe e sistemit politik në Republikën e Kosovës është kompromisi, konsensusi. Përderisa nuk njihet ky togfjalësh, kjo kryefjalë si bazë e të gjithë përparimit në vend, me rregullimin aktual kushtetues dhe politik në vend nuk ka asgjë”, tha ai.
Ligjvënësit në Kosovë, që nga 25 marsi, kanë pasur mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në një seancë më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, ndërsa nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Kreministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur disa takime me udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së. Ato dështuan. Opozita e akuzon Kurtin se po i do të gjitha pozitat kyçe për vete, ndërsa Kurti ka thënë se u ka ofruar edhe poste qeveritare apo kryeparlamentarin në këmbim të votave për presidentin.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill.






