Malisheva në “frymën e fundit” e mposht Dukagjinin

- Advertisement -

Malisheva i është gëzuar një fitore të madhe në minutën e fundit të kohës shtesë ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës.

Përballja mes dy skuadrave ishte dramatike nga fillimi me raste nga dy palët, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-1.

Që në pjesën e parë u pa ritëm i lartë, duele të shumta dhe disa ndërprerje për shkak të ndërhyrjeve mjekësore, çka e fragmentoi lojën.

Në pjesën e dytë, përballja u ashpërsua edhe më shumë, sidomos pas kartonit të kuq për Malishevën, që ndryshoi ekuilibrat në fushë. Dukagjini pati rastin më të madh me Meris Maliqin, i cili doli i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij u ndal në momentin vendimtar, duke mos e zhbllokuar rezultatin.

Nga ana tjetër, Malisheva rrezikoi seriozisht me Mevlan Zekën, por gjuajtja e tij u bllokua në mënyrë heroike nga Tun Bardhoku nga vija e portës, duke shpëtuar Dukagjinin nga pësimi i golit. Këto dy momente ishin vendimtare për fatin e ndeshjes.

Ndeshja mori dramë në fund, kur në kundërsulm të shpejtë, Ibishi shënoi golin e fitores për Malishevën, duke vendosur rezultatin final 0-1. Mysafirët largohen me tre pikë të arta, ndërsa Dukagjini mbetet pa shpërblim për angazhimin në një ndeshje shumë të luftuar.

Malisheva kësisoj ngjitët në pozitën e katërt me 46 pikë kurse Dukagjini zë pozitën e gjashtë me 38 sosh./Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit