Agon Xhaka e kaloi Malishevën në epërsi në minutën e 64-t. Megjithatë, Feronikeli 74 arriti të gjejë golin e barazimit në minutën e 11-të (të fundit) të shtesës, kur pas një rrëmuje në zonë, Armend Gashi realizoi nga afërsia me kokë. Ky gol i dha Feronikelit 74 pikën e parë në këtë edicion.
Në ndeshjen tjetër, Gjilani siguroi fitore të rëndësishme para tifozëve të vet ndaj Prishtinës, me rezultat 2:1, që i jep motiv shtesë për derbin kundër Dritës në kuadër të javës së 8-të. Albin Krasniqi shënoi i pari për Prishtinën në minutën e 22-të. Por Gjilani u përgjigj me golin e Kushtrim Shabanit në minutën e 36-të, duke e rikthyer baraspeshën në rezultat. Ndërkaq, momenti vendimtar erdhi në minutën e 82-të, kur Besir Ramadani shënoi golin e fitores për Gjilanin, duke siguruar fitoren e dytë të skuadrës në këtë kampionat. Me këtë triumf, Gjilani tani renditet në vendin e shtatë me 8 pikë.