Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka publikuar raportin zyrtar të Policisë në lidhje me incidentin e pretenduar të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ky i fundit pretendoi se Lushtaku kishte tentuar t’a sulmonte me makinë eskortën e tij, transmeton lajmi.net.
Sipas raportit të Policisë, Lushtaku nuk e kishte rrezikuar eskortën e kryeministrit dhe se këtë e konfirmojnë edhe video-incizimet.
Lushtaku tha se për këtë shpifje Kurti do të përgjigjet para gjykatës.
Postimi i plotë:
As sulm, as rrezikim. Vetëm shpifje dhe gënjeshtër e Albin Kurtit.
E gjeni të bashkëngjitur raportin zyrtar të Policisë, i cili e nxjerr në pah të vërtetën dhe e demanton plotësisht shpifjen dhe propagandën e Albin Kurtit për kinse “sulm me makinë” ndaj tij dhe eskortës përcjellëse.
Raporti thotë qartë se nuk ka pasur as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion. Pra, gjithçka ka qenë një gënjeshtër e fabrikuar për përfitime politike dhe për të njollosur emrin tim para qytetarëve.
Unë nuk jam mësuar të fshihem pas mashtrimeve e deklaratave propaganduese. Gjithmonë kam qëndruar drejt para Zotit, familjes dhe qytetarëve. Prandaj sot, faktet flasin vetë.
Askush nuk mund të shpifë e të manipulojë opinionin publik e të kalojë pa u përballur me përgjegjësi. Për këtë gënjeshtër publike dhe këtë shpifje të ulët, Albin Kurti do të përgjigjet para gjykatës!
SL./lajmi.net/






