Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit dëshmon se institucionet mund të formohen kur ekziston vullneti politik mes subjekteve parlamentare.
Ajo tha se pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-ja iu bashkua seancës konstituive, ku u votua kandidati i saj për nënkryetar të Kuvendit, Kujtim Shala.
“Kjo është një dëshmi kur vullneti i që kur vullneti politik edhe kur ushtrimi i demokracisë bëhet më i lehtë bëhen institucione. Do thotë po shihet që vetëm mungesa e vullnetit politik të grupit të parë parlamentar ka bërë që të ketë vonesa deri ditën e sotme. Ne në seancën e fundit u kemi bërë thirrje që t’ua njohin të drejtën partive politike për propozimin e emrave për nënkryetarë të tyre dhe vetëm pas ndërrimit të qëndrimit të tyre ne erdhëm dhe u bashkëngjitëm në seancë dhe u votua propozimi i kandidatit të LDK-së për nënkryetar ashtu siç kemi propozuar ne dhe i dhamë institucione vendit”, tha ajo.
Ajo tha se qëndrimi i LDK-së ishte që të shfrytëzohej deri në fund e drejta e dialogut dhe dorëzimit të propozimeve, megjithatë ajo shtoi se PDK doli me qëndrim të ri politik.
“Është situatë e re, është situatë e re për shkak se nuk ka pasur vullnet për votim të nënkryetarëve dhe nuk iu ka njoftë e drejta, ju e patë që grupit të dytë parlamentar nuk iu votua kandidati i tyre dhe ishte e njëjta logjik për të vazhduar. Sot ne u bëmë thirrje që të shfrytëzohet e drejta e dialogut dhe të bëhet thirrje e re të gjitha grupeve parlamentare që të vijnë dhe të bëjnë propozime, ndërkohë kemi një qëndrim politik të PDK-së për të mos marrë pjesë në seancë, gjithsesi ata do ta adresojnë në Gjykatën Kushtetuese, ne do të kontribuojmë për sqarimin e ligjshmërisë dhe Kushtetutshmërisë së institucioneve”, tha ajo.






