17.6 C
New York
Tuesday, May 6, 2025

Buy now

“Luftëtar midis luftëtarëve”, Luan Haradinaj nderohet me akademi përkujtimore

- Advertisement -

 

Në nderim të heroit të kombit, Luan Haradinaj, është mbajtur një akademi përkujtimore e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi rëndësinë historike të kontributit të UÇK-së dhe veçoi rolin e Luan Haradinajt si një ndër më të besuarit në aksionet e luftës. Ai tha se forca dhe vendosmëria e tij janë simbol i qëndresës dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës.

“Sot është një moment i rëndësishëm për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithandej kishte ulërima, gjithandej ndjekje. E gjithë ajo re e keqe në Gllogjan dhe në Drenicë, nga analizat që kemi bërë, rezulton se këto grupe duhet të forcohen. Në një analizë të bërë nga Bekim Berisha, Fehmi Lladrovci lindi si domosdoshmëri që këto kompani të forcohen në ekipe ushtarësh profesionistë. Dhe atëherë kemi biseduar, duke analizuar këto konkluzione, se mbase është e domosdoshme që ekipet të forcohen. I besonin aq shumë Luanit dhe Ramushit, sa që ata njihnin rrugët në Kosovë pa pasur nevojë të jepnin ndonjë sekret. Ramushi punonte ditën, dhe për 24 orë kryheshin aksionet në Kosovë. Por, për fat të keq, ranë në pritë – Luani u vra, Rafet Rama u plagos rëndë, por lufta nuk duhej ndalur. Është vetë pushka e Luanit ajo që ngriti memorialin atje, dhe mbase ai është më i merituari”, tha Ahmeti.

Udusi Lama tha se Luan Haradinaj ishte një luftëtar i vërtetë që vepronte pa hezitim për liri, duke qenë gjithmonë në ballë të aksioneve. Ai apeloi që shoqëria të mbajë gjithmonë vëmendjen te dëshmorët, sepse rënia e tyre ishte e domosdoshme për çlirimin e vendit.

“Është me vlerë të kthejmë shikimin nga jeta dhe të reflektojmë se çfarë kemi bërë për ta bërë jetën tonë të lirë dhe të sigurt. Dëshmorët gjithnjë bëhen luftëtarë, ata që veprojnë dhe jo që vetëm filozofojnë. I tillë ishte edhe Luan Haradinaj. Ai nuk kishte tjetër adresë përveç luftës për liri. Ishte luftëtar midis luftëtarëve – askund nuk janë bërë biseda apo mendime përveç heronjve dhe luftës për liri, për ta mundur armikun. Jam i sigurt se Luani ka pasur plagë, por nuk e ka ndjerë dhimbjen. Ishte ajo kohë kur kërkoheshin luftëtarë, por edhe dëshmorë. Nuk e di nëse e kemi kuptuar këtë, por apeloj që të mbajmë sytë te Luani dhe dëshmorët e tjerë, sepse rënia e tyre ishte e domosdoshme”, tha Lama.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, theksoi se me rënien e Luanit është ndërtuar edhe betimi i ushtarëve të UÇK-së.

“Kjo pjesëmarrje tregon se dimë të ruajmë vlerat tona kombëtare. Sa herë kujtojmë Luanin, kujtojmë veprimtarinë e Ismajl Haradinajt. Kujtojmë veprimtarët, atdhetarët, luftëtarët e paepur dhe të gjithë ata që kanë kontribuar që sot të jemi të lirë. Kur kujtojmë Luanin, gjithsesi kujtojmë dhe nderojmë edhe betimin e ushtarit të UÇK-së. Me rënien e Luanit është ndërtuar edhe ai betim. Kjo na obligon të vazhdojmë me amanetin e Luanit dhe të UÇK-së”, tha Jashari.

Të ngjashme

Të fundit