Një vlerësim i publikuar nga revista The Lancet identifikon 17 kërcënime madhore për shëndetin global, nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike te pandemitë dhe reduktimi i ndihmës ndërkombëtare.
Lufta bërthamore dhe përdorimi keqdashës i Inteligjencës Artificiale mund të çojnë deri në zhdukjen e njerëzimit përpara fundit të këtij shekulli, paralajmëron një vlerësim i ri ndërkombëtar i publikuar nga revista shkencore The Lancet.
Sipas raportimit të The Guardian, një komision prej 35 ekspertësh ka identifikuar 17 kërcënime madhore për shëndetin e njerëzimit gjatë 75 viteve të ardhshme, duke përfshirë ndryshimet klimatike, pandemitë, ndotjen e ajrit, kequshqyerjen dhe reduktimin e ndihmës ndërkombëtare.
Dy prej rreziqeve më ekstreme janë konfliktet bërthamore dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale për krijimin e armëve biologjike.
Megjithëse ekspertët vlerësojnë se probabiliteti i këtyre skenarëve mbetet i ulët, pasojat e mundshme mund të jenë katastrofike.
Një luftë bërthamore mund të çlirojë sasi të mëdha grimcash në atmosferë, duke penguar rrezet e diellit dhe shkaktuar uri në shkallë globale. Ndërkohë, inteligjenca artificiale mund të përdoret për zhvillimin e armëve biologjike me pasoja potencialisht shkatërruese.
Një editorial shoqërues i The Lancet paralajmëron se realizimi i këtyre skenarëve mund të shkaktojë një katastrofë me përmasa apokaliptike.
Megjithatë, raporti nuk kufizohet te kërcënimet ekzistenciale.
Ekspertët kanë analizuar edhe ndikimin e ndotjes së ajrit, rezistencës ndaj antibiotikëve, obezitetit, problemeve të shëndetit mendor, pabarazisë ekonomike dhe plakjes jo të shëndetshme.
Për të matur pasojat, komisioni përdori një tregues që llogarit vitet e jetës së shëndetshme të humbura për shkak të sëmundjeve, aftësisë së kufizuar ose vdekjeve të parakohshme.
Sipas përllogaritjeve, kufizimi i ngrohjes globale në rreth 1.8 gradë Celsius, në vend të një skenari prej 4.4 gradësh, mund të parandalojë humbjen e 1.89 miliardë viteve të jetës së shëndetshme.
Një tjetër shqetësim lidhet me shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare nga vendet e pasura.
Komisioni vlerëson se një reduktim drastik ose kolaps i financimeve ndërkombëtare për shëndetësinë mund të shkaktojë humbjen e deri në 1.5 miliardë viteve të jetës së shëndetshme deri në vitin 2100.
Pothuajse 70% e kësaj barre do të përqendrohej në Afrikën Sub-Sahariane.
Ekspertët nënvizojnë se të 17 kërcënimet janë të ndërlidhura dhe kërkojnë politika të koordinuara.
Pavarësisht seriozitetit të paralajmërimeve, komisioni thekson se për secilin prej rreziqeve ekzistojnë mundësi reale ndërhyrjeje, përmes investimeve në teknologji, forcimit të sistemeve shëndetësore dhe masave parandaluese.






