Lidhur me çështjen e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit e ka komentuar Ramiz Lladrovci në një opinion në rrjetin social.
Ai ka deklaruar se “nuk pres të ndryshohet rrjedha e lumit, por, nga kryesit e gjenocidit, gjithçka është e pritshme”.
Opinioni i Lladrovcit në fb:
Deklaratat e Serbisë për ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit Ibër, sado të pabesueshme, janë deklarata si “hakmarrje” për kinse veprimet e shqiptarëve ndaj qytetarëve serbë. Kjo tregon për kërkimin e shkakut për konflikt, destabilizim të rajonit, urrejtjes ndër fqinjësore, mbase edhe nga ikja nga prioriteti: vazhdimi i dialogut.
Më e çuditshme është deklarata e Bashkimit Evropian kur pret nga Serbia rregullimin e çështjeve “vetëm përmes dialogut”. Kjo dëshmon se BE përball një situate që mund të eskalojë në diçka serioze, sillet si balerinë në xhungël.
Parimet e BE-së vlejnë për shtetet që ndërtohen mbi frymën e paqes, mirëkuptimit dhe vlerave demokratike. Cilat janë sanksionet për Serbinë nëse nuk i zbaton rekomandimet e BE-së, sigurisht, reagimi i BE-së do të jetë deklarata: “Turp, shkelje e të drejtës ndërkombëtare”. Shkeljen e të drejtës ndërkombëtare, Serbia e ka sikur me hëngër bukë e djathë me domate.
Çështja e rrjedhës së Ibrit ngrihet në kohën e ligë kur partitë shqiptare në Kosovë nuk po arrijnë pajtim të thjeshtë për emërimin e Presidentit madje duke shkelur afatet kushtetuese. Nuk pres të ndryshohet rrjedha e lumit, por, nga kryesit e gjenocidit, gjithçka është e pritshme.
Pra, tri anët e çështjes u panë, ana jonë, qëndrimi i U.D. së Presidentes, U.D. e Ministres së Ambientit të Kosovës, Kryeministrit Rama dhe Ministrit Hoxha, ana e Serbisë, presidentit Vuçiq dhe ministrit Gjuriq dhe ana e tretë, Bashkimi Evropian. Mungon qëndrimi i gardianit të lirive të kombeve e popujve të vegjël, Amerikës.
Pala që ende nuk po deklarohet, por, është palë tepër serioze, është ajo dorë e qytetarëve që japin gjithçka për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, e cila nuk e do luftën por nuk ikën nga ajo. Në këtë kohë, urtësia duhet të jetë para demagogëve, aq më parë kur sot në Kosovë duhet të jetë me përparësi respektimi i Kushtetutës.
https://www.facebook.com/share/p/1H4mEXw5Ph/?mibextid=wwXIfr






