Gjini pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës: Kosova rrezikon bllokadën totale, po shpërfillet Kushtetuta

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbledhjes së radhës të Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur shqetësimin për krizën politike dhe bllokadën institucionale në të cilën ndodhet vendi.

Gjini ka thënë se pozicioni i Aleancës që nga përfundimi i zgjedhjeve ka qenë konstruktiv dhe në funksion të krijimit të institucioneve të rregullta.

Sipas tij, Aleanca ka hartuar një ofertë të qartë në interes të qytetarëve, por ajo po injorohet nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet.

“Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, edhe pse zotimi ndaj këtyre pikave do të çonte menjëherë në tejkalimin e këtij ngërçi politik”, ka shkruar Gjini.

Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet situata institucionale, duke thënë se Kosova po përballet me rrezikun e një bllokade totale pas, siç është shprehur ai, “shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit”.

Gjini ka akuzuar gjithashtu partinë fituese të zgjedhjeve se përmes veprimeve të saj po cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve.

“Partia që ka fituar zgjedhjet po i bën sulm vetë shtetit përmes ligjeve që cenojnë pavarësinë e institucioneve, duke shkatërruar rendin kushtetues”, ka deklaruar ai.

Sipas Gjinit, kjo situatë po ndikon edhe në fusha të tjera të rëndësishme, duke dëmtuar ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në fund, kryetari i Aleancës ka theksuar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin politik për tejkalimin e krizës.

“​​Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot. Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend”, ka shkruar Gjini.

 

 

Të ngjashme

Të fundit