Vendimi i padrejtë në Hagë, nuk e ka përkrahjen e qytetarëve të komunës së Drenasit, ka theksuar kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në Protestën e organizuar për të kundërshtuar aktgjykimin e Hagës, kundër heronjve tanë të luftës e paqes.
Postimi i z. Lladrovci:
Në protestën e organizuar për kundërshtimin e aktgjykimit në Hagë, mbajta këtë fjalë rasti:
Ky Shesh ka marrë bukuri të veçantë!
Nga zemra e Kosovës, djepi i Ushtrisë tonë të lavdishme, e themi me zë të fuqishëm:
Jemi përjetësisht të lidhur me çlirimtarët!
Ky Shesh, po e shfaq zemrën tonë për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Vendimi i padrejtë në Hagë, nuk e ka përkrahjen e qytetarëve të komunës së Drenasit!
Prania jonë tregon qartë, gjykimit në Hagë: Jo në emrin tim!
Të nderuar të pranishëm,
Me ftesë të Organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi këtu në këtë protestë kundër aktgjykimit të turpshëm në Hagë.
Jemi këtu bashkë, për të përkrahur heronjtë tanë të luftës dhe paqes që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përkrahja jonë shprehet me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike.
Qytetarët e Drenasit e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër gjenocidin shekullor të Serbisë.
Këtë e dëshmojnë para së gjithash varrezat masive në Abri, Vërboc, Poklek i Ri, Poklek i Vjetër, Çikatovë e Vjetër në dy vende, Shavarina dhe vendet tjera, këtë e dëshmojnë rreth 1.300 dëshmorë e martirë.
Këtë e dëshmon Familja Deliu, Muqolli, Elshani, Caraku, Ahmeti e qindra familje tjera të komunës tonë që dhanë më të dashurit e tyre për liri.
Historia e lavdishme e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj nuk mund të njolloset nga askush. Historia jonë është shkruar me sakrificë e me gjak, atë nuk mund ta ndryshoj asnjë kuzhinë serbo-ruse, përmes prokurorëve dhe gjykatësve evropianë.
Të drejtën tonë për liri, nuk mund ta tjetërsoj askush.
Jemi këtu, për të thënë zëshëm: Jo në emrin tim!
Të nderuar qytetarë nga zemra e Kosovës,
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, ishte luftë çlirimtare dhe qellim të vetëm e kishte çlirimin e vendit, ajo ishte në pajtim me normat ndërkombëtare.
Përball dhunës dhe gjenocidit serb, kemi vepruar me të gjitha format në mbrojtje të qenësisë tonë, nga koha e Ahmet Delisë, nga koha e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës,
Të Nacional Demokratëve Shqiptarë dhe Rifat Berishës, të pjesëtarëve të Pranverës shqiptare 1981, të Tahir Mehës, të demonstratave të fuqishme të viteve ’90,
Të rezistencës paqësore dhe deri te kulmi i këtij angazhimi,
Epopeja e UÇK-së dhe Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.
Përkushtimi atdhetar i gjeneratave të tëra nga zemra e Kosovës, nuk kishte synime kriminale, kishte synim lirinë për qytetarët tanë, kishte synim jetën e dinjitetshme dhe barazi.
Për arritjen e synimeve tona, çlirimin e Kosovës, si kauzë e padiskutueshme e drejtë, e vetme dhe civilizuese, në këtë luftë të drejtë, por të pabarabartë, e patëm përkrahjen e botës demokratike.
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe vuajtjet shekullore të qytetarëve tanë, ajo është ndërtuar mbi rezistencën shekullore dhe qëndrueshmërinë tonë në rrugën e lirisë, të çlirimit dhe integrimin me vlera euro-atlantike.
Për këtë, na ndihmoi NATO në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Sot e përgjithmonë, jemi krenar me arritjen tonë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,
Jemi krenar me shtetin dhe shtetësinë,
Jemi krenar për luftën tonë të drejtë!
Jemi krenar me heronjtë tanë të luftës dhe paqes,
Me Hashim Thaçin,
Kadri Veselin,
Jakup Krasniqin,
Rexhep Selimin,
Pjetër Shalën e
Salih Mustafën,
Jemi të bindur në pafajësinë e tyre.
Askush në botë nuk ka mundësi as ta shkruaj e as ta rishkruaj historinë tonë.
Nga ky Shesh, e kundërshtojmë ashpër vendimin e Hagës kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes,
Ftojmë për veprim urgjent të institucioneve tona
Në mbrojtje të heronjve tanë të luftës dhe paqes,
Në mbrojtje të Republikës së Kosovës!
Dënimit të padrejtë në Hagë i themi zëshëm: Jo në emrin tim!
Faleminderit!
https://www.facebook.com/share/1kUCo7QLwN/?mibextid=wwXIfr






