Liverpooli ka nisur kërkimet për trajnerin e ri pas ndarjes me Arne Slot, ndërsa emri që po fiton gjithnjë e më shumë terren është ai i Andoni Iraolës.
Sipas raportimeve të mediave britanike dhe informacionit të publikuar nga Fabrizio Romano, tekniku spanjoll konsiderohet favoriti kryesor për të marrë drejtimin e “The Reds”.
Ish-trajneri i Bournemouthit vlerësohet shumë nga drejtuesit e Liverpoolit për stilin ofensiv të lojës, presingun e lartë dhe punën e shkëlqyer që ka bërë në Premier League. Gjithashtu, ai ka një raport të mirë me drejtorin sportiv Richard Hughes, me të cilin ka bashkëpunuar më parë.
Sipas raportimeve, Iraola është në krye të listës së kandidatëve dhe shihet si profili ideal për të hapur një epokë të re në “Anfield”. Edhe bastoret e kanë vendosur spanjollin si favorit për të zëvendësuar Slotin.
Tashmë mbetet të shihet nëse Liverpooli do të arrijë marrëveshje me 43-vjeçarin, por sinjalet e fundit tregojnë se Andoni Iraola është emri më i nxehtë për stolin e gjigantit anglez.






