Liverpool ka gati 100 milionë euro për Yan Diomande

- Advertisement -

Liverpooli po planifikon një nga goditjet më të mëdha të afatit kalimtar veror, me talentin e RB Leipzigut, Yan Diomande, që ka hyrë fuqishëm në radarët e klubit anglez pas paraqitjeve mbresëlënëse në Bundesliga.

Sulmuesi anësor nga Bregu i Fildishtë, ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane falë shpejtësisë, aftësive teknike dhe ndikimit të tij në repartin ofensiv gjatë sezonit të fundit.

Performancat e tij kanë bërë që ai të konsiderohet një nga talentët më premtues të futbollit evropian.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Liverpooli e ka vendosur Diomanden në krye të listës së objektivave për përforcimin e sulmit dhe është i gatshëm të investojë deri në 100 milionë euro për të siguruar transferimin e tij në “Anfield”.

Drejtuesit e “The Reds” e shohin futbollistin e ri si pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë të klubit dhe besojnë se ai mund të shndërrohet në një nga figurat kryesore të skuadrës në vitet e ardhshme.

Megjithatë, Leipzigu nuk pritet të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve më të talentuar të ekipit. Klubi gjerman raportohet se ka vendosur një çmim minimal prej 100 milionë eurosh për të nisur bisedimet, duke e bërë këtë transferim potencialisht një nga më të kushtueshmit e verës.

Në mesin e klubeve që po e ndjekin nga afër situatën e Diomandes është edhe Paris Saint-Germaini, i cili e konsideron futbollistin një përforcim ideal për të ardhmen. Megjithatë, Liverpooli aktualisht shihet si kandidati më serioz për të siguruar nënshkrimin e talentit afrikan.

Me potencialin e madh që posedon dhe moshën e re, Yan Diomande vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian, ndërsa një transferim i tij në Ligën Premier do të ishte ndër lëvizjet më të bujshme të këtij afati kalimtar.

Të ngjashme

Të fundit